I dhanë leje Bërnabiqit, por ja çka shkruante VV kur të tjerët i dhanë leje Vuçiqit: "U shkel integriteti territorial" - NACIONALE

I dhanë leje Bërnabiqit, por ja çka shkruante VV kur të tjerët i dhanë leje Vuçiqit: "U shkel integriteti territorial"

1 muaj më parë

nga NACIONALE

“U shkel integriteti territorial”, kështu konsideronte Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2018, kur iu dha presidentit serb, Aleksandër Vuçiq leje që ta vizitojë Kosovën. Katër vjet më pas, kjo parti e ka pushtetin, dhe e bëri pikërisht të njëjtën gjë, i dha leje për vizitë kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

Bërnabiq pritet që ta vizitojë Kosovën të hënën, kjo është konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme.

“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen për Telegrafin nga ministria.

Në vitin 2018 presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq vizitoi Kosovën. Dhënia e lejës e kishte nervozuar Vetëvendosjen e atëhershme, në opozitë.

Këta, përmes një komunikate për media kishin thënë se kjo tregon që pushteti në Kosovë “është i gatshëm të lëshojë pe”.

“Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë treguar seriozitet sa herë që udhëheqësit serbë paralajmërojnë vizita në Kosovë. Që prej dhënies së lejes për presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pushteti në Kosovë po tregon se është i gatshëm të lëshojë pe dhe të bëjë kompromise me Serbinë që i paguan shteti e populli ynë. Kjo leje është e paligjshme, është jolegjitime, e dëmshme për të tashmen dhe e rrezikshme për të ardhmen”, thuhej në shkrimin e LVV-së, në Facebook.

Partia e Kurtit madje, kishte përmendur edhe protesta në kundërshtim të kësaj vizite, duke thënë se ato shkaktohen nga “pazotësia” e institucioneve të Kosovës.

“Andaj edhe ndodhin protesta në kundërshim të kësaj vizite. Këto protesta nuk i shkakton vetëm indinjimi ndaj Vuçiqit, por i prodhon edhe pazotësia e institucioneve të Kosovës. Kësisoj, Hashim Thaçit nuk i duhen prova të reja se duke shpërfillur Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk ka fituar asgjë, pos shfaqjen e pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Kosova ka nevojë për udhëheqës të tjerë, të dinjitetshëm, që ia mbrojnë integritetin dhe ruajnë dinjitetin”, thuhej në komunikatën e LVV-së.

Lajme të ngjashme