Hysen Çekaj i LDK-së nuk garoi në këto zgjedhje “për t’u kujdesur për nënën”
Hysen Çekaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kandidoi këto zgjedhje parlamentare të 28 dhjetorit.
Çekaj tha se ka obligime përkujdesje për nën e vet.
Postimi i plotë:
Të nderuar familjar, miq e bashkëpunëtorë,
Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota - ato nuk më kanë munguar kurrë. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, e cila sot më shumë se kurrë ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës.
Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi - mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme dhe të përkushtuar. Përmes kësaj deklarate, dua t’i ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të ndryshimit të domosdoshëm që vendi ynë, Kosova jonë, ka aq shumë nevojë.
Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehem edhe më fuqishëm, si në garë ashtu edhe në angazhimet e drejtpërdrejta për LDK-në dhe për Kosovën.
Ju falënderoj për qindra mesazhe, telefonata e shqetësime të shprehura. Përkrahja juaj është vlerë e madhe për mua - dhe ishte pikërisht kjo përkrahje që më bëri kandidatin më të votuar nga mërgata në zgjedhjet e kaluara.
Për këtë dhe për gjithçka, ju jam mirënjohës përherë.