Hykmete Bajrami kërkon rinumërim të plotë të votave dhe reagim urgjent nga drejtësia - NACIONALE

Hykmete Bajrami kërkon rinumërim të plotë të votave dhe reagim urgjent nga drejtësia

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve për parregullsi në procesin e numërimit të votave, duke kërkuar rinumërimin e votave në mbarë vendin dhe një reagim të shpejtë nga institucionet përgjegjëse.

Përmes një postimi publik, Bajrami theksoi se besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor është themeli i funksionimit demokratik të vendit dhe se çdo dyshim për manipulim duhet trajtuar me prioritet absolut.

“Kërkoj rinumërimin e votave në të gjithë Kosovën dhe reagim të shpejtë e efikas nga institucionet e drejtësisë. Kushdo që ka prekur votën duhet të japë përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve,” deklaroi ajo.

Bajrami theksoi se transparenca dhe integriteti i procesit zgjedhor janë të domosdoshëm për të garantuar që rezultati final të reflektojë vullnetin real të qytetarëve. Ajo u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të veprojnë menjëherë, në mënyrë që, sipas saj, të shmangen dyshimet dhe të rikthehet besimi i plotë në proces.

Reagimi i saj vjen pas diskutimeve të intensifikuara në opinionin publik dhe politik lidhur me gjetjet e verifikimeve të KQZ-së në një pjesë të vendvotimeve, ku janë evidentuar mospërputhje në numërim.

LDK-ja, përmes përfaqësuesve të saj, ka paralajmëruar se do të ndjekë çdo procedurë ligjore për të siguruar, siç thonë ata, mbrojtjen e votës së qytetarit.

Lajme të ngjashme