Hyjnë në fuqi taksat e reja të Trumpit ndaj më shumë se 90 shteteve - NACIONALE

Hyjnë në fuqi taksat e reja të Trumpit ndaj më shumë se 90 shteteve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë hyrë në fuqi taksat e reja të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj më shumë se 90 shteteve në pjesë të ndryshme të botës.

“Është mesnatë!!! Miliarda dollar taksa tani janë duke rrjedhur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës” – shkroi Trumpi në rrjete sociale disa minuta para përfundimit të afatit në Uashington, raporton televizioni BBC.

Më herët, kreu i Shtëpisë së Bardhë e goditi Indinë me taksë prej 50 për qind, e cila do të hyjë në fuqi më 27 gusht, nëse Nju-Delhi nuk e ndërpret blerjen e naftës ruse.

Trumpi gjithashtu kërcënoi me taksë prej 100 për qind ndaj çipave kompjuterikë të prodhuar jashtë vendit, përderisa po u bën trysni kompanive të teknologjisë që të investojnë në ShBA.

Shtetet kanë nxituar që të nënshkruajnë marrëveshje tregtare me Uashingtonin ose t’i ulin a t’i heqin ato që Trumpi i quan “taksa reciproke”.

Shtetet e varura nga eksporti në Azinë Juglindore ishin në mesin e vendeve që u goditën më së rëndi nga taksat e reja amerikane.

Laosi dhe Mianmari ishin në mesin e shteteve që do të ballafaqohen me taksat më të larta – 40 për qind. Disa ekspertë kanë thënë se duket që Trumpi i ka vënë në shënjestër vendet që kanë lidhje më të ngushta tregtare me Kinën.

Disa ekonomi të rëndësishme, përfshirë Britaninë e Madhe, Japoninë dhe Korenë e Jugut, tashmë kanë arritur marrëveshje për të siguruar taksa më të ulëta sesa ato me të cilat presidenti amerikan kishte kërcënuar në prill.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka arritur një kornizë të marrëveshjes me Uashingtonin, sipas së cilës Brukseli ka pranuar një taksë prej 15 për qind ndaj mallrave të veta.

Tajvani, aleat kyç i ShBA-së në Azi, u godit me taksë prej 20 për qind. Presidenti i shtetit ishullor tha se ky nivel është i përkohshëm dhe se bisedimet me Uashingtonin janë ende duke u zhvilluar./Nacionale

Lajme të ngjashme