Hoxhaj: Kosova po humb terren ndërkombëtar, marrëdhëniet me SHBA-në janë “zero” - NACIONALE

Hoxhaj: Kosova po humb terren ndërkombëtar, marrëdhëniet me SHBA-në janë “zero”

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Kosovës, duke thënë se mungesa e stabilitetit të brendshëm dhe e ambicies diplomatike e kanë dobësuar pozitën ndërkombëtare të vendit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ai tha se prej vitit 2019 Kosova nuk ka siguruar njohje të reja, anëtarësime të rëndësishme apo përparim të mjaftueshëm në raportet me aleatët kryesorë. Sipas tij, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë degraduar ndjeshëm.

“Meqë s’ka dialog politik, nuk ka dhe tema të tilla të cilat do të diskutohen në tavolinë, dhe meqë nuk diskutohen këto tema në tavolinë, do të thotë s’ka marrëdhënie — zero ka marrëdhënie”, deklaroi Hoxhaj.

Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, duke deklaruar se ato kanë dëmtuar funksionimin e shtetit dhe kanë krijuar hapësirë për vetëqeverisje të zgjeruar të komunitetit serb.

Pas sulmit në Banjskë, Hoxhaj kërkoi rishikim të qasjes ndaj Serbisë, duke theksuar se siguria, mbrojtja, pavarësia energjetike dhe anëtarësimi në NATO duhet të paraprijnë normalizimin e marrëdhënieve dhe dialogun.

Sipas tij, dialogu aktual nuk ka sjellë siguri të qëndrueshme apo njohje të reja ndërkombëtare për Kosovën.

Lajme të ngjashme