Hoxha: Policia ka plan për parandalimin e garave të shpejtësisë, kemi shqiptuar 193 gjoba
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka treguar se ky institucion ka hartuar plan operativ për ndalimin e garave të shpejtësisë me makina.
Ai ka bërë me dije se një plan i tillë ekziston prej muajit prill.
Në një konferencë për medie, Hoxha ka thënë se për këtë çështje policia ka shqiptuar qindra gjoba.
“Këto janë masat që janë ndërmarrë nga Policia e Kosovës me qëllim parandalimin e garave. Njësia e kontrollit të autostradave ka hartuar planin operativ ‘Parandalimi i garave të shpejtësisë me automjete’, i cili ka filluar të zbatohet me më 1 prill. Në kuadër të këtij plani Njësia e kontrollit të autostradave dhe drejtoritë rajonale të Policisë kanë shqiptuar 193 gjoba për pjesëmarrës në këto gara, ka konfiskuar 10 automjete dhe ka parandaluar rreth 50 gara ilegale në të gjitha rajonet e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Ai ka bërë me dije se policia e Kosovës shumë shpejt do të pajiset me radar statik.
“Me qëllim të përmbushjes së Planit Zhvillimor Strategjik të PK-së 2021-2025 ku një ndër objektivat parasheh modernizimin e pajisjeve për kontroll dhe mbikëqyrje të trafikut rrugor jemi furnizuar me vetura me pajisje inteligjente ’smart patroll’, radar mobil që dëshmojnë kundërvajtjet në trafik, e po ashtu në të ardhmen synojmë të pajisemi me radar statik, pajisje për lëshimin e gjobave në mënyrë elektronike si dhe për një transparencë më të madhe të punës policore ndaj publikut kemi filluar përdorimin e kamerave të trupit për zyrtarë policorë të njësive të trafikut”, është shprehur Hoxha, raporton EO.