Hovenier i prerë: Hapja e Urës së Ibrit tash rrezikon ushtarët amerikanë - NACIONALE

Hovenier i prerë: Hapja e Urës së Ibrit tash rrezikon ushtarët amerikanë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, i ka qëndruar asaj se tash për tash nuk mbështesin hapjen e Urës së Ibrit për automjete, për çka tha se kërcënohet siguria e ushtarëve amerikanë.

Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan për Radio Evropa e Lirë.

"Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani", tha Hovenier.

Radio Evropa e Lirë: Por, kush mund të shkaktojë dhunë?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se kush mund të shkaktojë dhunë. Vetëm e di se kemi vlerësim që mund të ketë dhunë dhe që është reale dhe pyetja se kush mund të jetë përgjegjës për të, që është pyetje shumë e arsyeshme, nuk e mohon faktin se mund të ketë dhunë dhe rrezik të njëmendtë për komunitetin lokal dhe për ushtarët e NATO-s.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të interesuara që në këtë çast ushtarët amerikanë të përballen me rrezik shtesë për këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë: Në reagimin tuaj ndaj mbylljes së Postës së Serbisë, ju thatë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës rrezikojnë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it. Por, pikërisht në këtë rast, e dimë se KFOR-i ka një prezencë të përhershme në urë dhe KFOR-i gjithashtu mendon që kjo çështje duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel. A mundet kjo çështje në një moment të vë KFOR-in në përballje me autoritetet e Kosovës?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas se si do të reagojë Kosova në një situatë të tillë. Mund të them se KFOR-i ka qenë mjaft i qartë se e merr seriozisht edhe këtë çështje.

KFOR-i ndan të njëjtin vlerësim të rrezikut që Shtetet e Bashkuara e kanë për këtë çështje dhe që ne ua kemi bërë të ditur autoriteteve të Kosovës, se hapja tani e urës për qarkullim të automjeteve do të rrisë rrezikun për ushtarët dhe kjo është arsyeja pse KFOR-i ka qenë gjithashtu shumë-shumë i qartë duke shprehur pikëpamjen se kjo duhet të bëhet vetëm në një mënyrë që e zbut atë rrezik. Por, ne nuk besojmë se planet aktuale e marrin parasysh atë rrezik.

Lajme të ngjashme