Hoti: S’ka logjikë që buxheti i komunave të merret e të mbahet në llogari të Qeverisë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka logjikë që buxheti i komunave të merret e të mbahet në llogari të Qeveri.
Hoti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se kjo është “joligjore”.
“Në dy vite, investimet kapitale të Qeverisë kanë qenë dështim total. Çfarë i duhen Qeverisë këto mjete?!” – tha ai.
Ndërkohë, më herët kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh i shqetësuar me informacionet se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake.
“Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave. Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë.” – ka thënë ai.
Në fund, Rama ka shtuar: “Nëse këto mjete nuk barten menjëherë, do të konsiderojmë se ky është një veprim i qëllimshëm i Qeverisë për të bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit. Prandaj, si palë e autorizuar, ne do të detyrohemi t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve të Prishtinës”.