Hoti: Ruajtja e kushtetutshmërisë është mbi çdo interes elektoral
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me situatën institucionale në vend.
Ai ka bërë me dije se ruajtja e kushtetutshmërisë duhet të jetë mbi çdo interes elektoral.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se çdo veprim pas përfundimit të këtij afati është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, partia që ka dalë e para në zgjedhje e ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo veprim pas kalimit të këtij afatit bie në kundërshtim me atë aktgjykim. Moskonstituimi i Kuvendit, i qëllimshëm dhe i motivuar nga interesa elektorale, nuk mund të kalojë në heshtje. Disa deputetë, duke pamundësuar qëllimshëm konstituimin e Kuvendit, janë duke e shkelur betimin e dhënë më 6 gusht 2026 për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Ndërkaq, disa po e shkelim betimin me mosveprim, duke mos e adresuar këtë shkelje në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar ai.