Hoti: Projekti i gazit amerikan u përqafua nga të gjithë në fushatë, dikur e quanin tradhti Marrëveshjen e Uashingtonit
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Avdullah Hoti ka thënë se projekti i gazit amerikan u përqafua nga të gjithë në fushatë zgjedhore.
Hoti në një shkrim në Facebook, ka thënë se Marrëveshjen e Uashingtonit nga ku buron ky projekt, disa e quajtën tradhti kombëtare.
“Para gjashtë vitesh, Marrëveshjen e Uashingtonit, nga e cila buron ky projekt, disa e quajtën tradhti kombëtare. Disa të tjerë, gjithë aleancën e Kosovës me SHBA-në e kualifikuan si aleancë të interesave, aleancë të frikës nga braktisja.
U desh të kalojnë gjashtë vjet, të paguajmë shumë më shtrenjtë faturat e energjisë dhe të importojmë afër 1 miliard euro energji elektrike në mënyrë që këta persona të ndryshojnë mendim.
Unë jam i bindur se qysh në fillim ka qenë e ditur për të gjithë rëndësia e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe e këtij projekti strategjik. Ata që e kanë kundërshtuar e kanë bërë këtë për interesa të ngushta politike dhe duket qartë për shkak të orientimeve jo-perëndimore të tyre.
Nesër, më 7 qershor, të gjithë ata që e kundërshtuan Marrëveshjen dhe këtë projekt duhet të paguajnë faturën politike”, ka shkruar ai.