Hoti për kundërshtimin e gazit amerikan nga qeveria: S’mund të kalojë në heshtje, reagimi qytetar është i domosdoshëm
Ish-kryeministri i Kosovës, si dhe deputeti i zgjedhur nga LDK, Avdullah Hoti, ka ngritur alarmin se çështja e projektit amerikan të gazit është më serioze sesa po paraqitet.
Ai ka thënë se nuk bëhet fjalë vetëm për një çështje infrastrukturore, por për një provë për Kosovën sa i përket orientimit të saj strategjik dhe raportit me ShBA-në.
Hoti ka shtuar se nuk do të heshtet ndaj kundërshtimit të këtij projekti nga qeveria dhe se reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se me kë rreshtohet populli i Kosovës.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë dhe miq,
Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike.
Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu. Ky është moment për zërin e qytetarëve.