Hoti: Osmani, dorë e zgjatur e Kurtit – ka qenë pjesë e agjendës qeveritare në çdo aspekt
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka artikuluar kritika të ashpra ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ish-bashkëpartiake e tij.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hoti deklaroi se Osmani, megjithëse ushtron detyrën e presidentes, sipas tij nuk mban distancë nga zhvillimet e përditshme politike dhe se përfshihet drejtpërdrejt në to.
Ai e cilësoi Osmanin si “dorë e zgjatur” të ish-kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar se ka qenë pjesë e agjendës qeveritare “në çdo aspekt”.
“Ka qenë pjesë e agjendës qeveritare në çdo aspekt. Tek aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjet që vet i kanë miratuar, asnjë ligj nuk e kthen prapa, nuk e emëron kryeprokurorin e shtetit, e shkarkon kryesuesen e KQZ-së në fillim të mandatit të saj”.
“Nuk janë në koordinim por Osmani është e nënshtruar. Një person e ka bërë këtë politikë të marrë, të tjerët veç e kanë ekzekutu përfshirë edhe këtë [Osmani]. Kështu ka qenë gjithmonë në çdo moment, në çdo vendimmarrje të rëndësishme që ka ndodhë në këtë vend, ajo asnjëherë nuk e ka ruajtur pavarësinë e saj funksionale për të siguruar rendin kushtetues”, tha Hoti në Rubikon.