Hoti numëron dështimet e mazhorancës në Kuvendin e Kosovës: Kurti po gënjen
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se pozita po gënjen për funksionimin e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës dhe se gjatë gjithë mandati të saj pozita ka cenuar demokracinë parlamentare.
Ai përmes llogarisë së tij në “Facebook” ka thënë se edhe kur në kuvend është hedhur gaz lotsjellës, kuvendi ka qenë me transparent e me efikas.
“Mazhoranca mashtron lidhur me funksionimin e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës. Si mund të jetë kjo legjislaturë më e suksesshmja kur gjatë gjithë mandatit është cenuar demokracia parlamentare nga ana e mazhorancës?! Edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, Kuvendi ka qenë më transparent e më efikas dhe ka marrë vendime kushtetuese e ligjore. Ky degradim i punës së Kuvendit është cenim i demokracisë me pasoja të gjera për gjithë aparatin shtetëror dhe shtyllat e pushtetit.”, shkruan Hoti.
Ndërsa ka dhënë edhe disa fakte sipas tij që e dëshmojnë cenimin e demokracisë gjatë kësaj legjislature.
“1. Mbi 10 ligje e vendime janë shpallur antikushtetuese;
2. Mazhoranca e ka keqpërdorur mekanizmin e seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës, duke pamundësuar debatin dhe konsultimet publike;
3. Ka pasur tri raste kur Kuvendi ka zhvilluar punimet pa e miratuar rendin e ditës;
4. Shumica parlamentare e ka pamundësuar funksionimin e Komisionit Hetimor lidhur me rezervat shtetërore;
5. Çdo sesion i Kuvendit është mbyllur me dhjetëra pika të papërfunduara;
6. Ka pasur mungesë të thellë të transparencës duke mos i publikuar materialet nga seancat dhe komisionet hetimore;
7. Nuk është funksionalizuar votimi elektronik, duke pamundësuar përcjelljen e votimit të deputetëve;
8. Qeveria ka injoruar Kuvendin te pyetjet parlamentare, te komisionet hetimore dhe te debatet parlamentare për të dhënë përgjegjësi për punën e vet dhe për programin qeverisës;
9. Ka pasur mungesë kronike të kuorumit që në shumicën e rasteve është shkaktuar nga deputetët e mazhornacës;
10. Mazhoranca nuk ka bashkëpunuar me opozitën as në miratimin e ligjit për buxhetin, e lëre më në ligjet e tjera.”, përfundon ai.