Hoti: Nuk jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të zhdukurit
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë me dije se Kosova dhe Serbia nuk janë afër arritjen se marrëveshje për personat të zhdukur.
Ai ka thënë se pala serbe po insiston në largimin e terminit “të zhdukur me forcë”.
Ai ka thënë se Kosova nuk do të pranojë largimin e këtij termi.
“Vazhdojmë të insistojmë dhe nuk e kam ndërmend të ndryshoj këtë qëndrim, sepse ai term duhet të jetë në deklaratë për shumë arsye, dhe nuk është arsye politike kjo, sepse jam i bindur që termi ‘të zhdukur me forcë’ obligon të dyja palët, e them sinqerisht, edhe Kosovën edhe Serbisë, e obligon të ofrojnë informacione, të ofrojmë punën tonë për të gjetur personat e zhdukur. Ndërsa nëse ne shkojmë dhe bëjmë deklarata pa pritje të një rezultati konkret në Bruksel atëherë është e dhimbshme për familjarët, dhe unë nuk dua që familjarët të krijojnë shpresa të kota, sepse jemi 22 vjet prapa. Prandaj jo, nuk jemi afër nënshkrimit të deklaratës. Sa më përket mua, si pjesë e atij delegacioni, jo, nuk jemi afër dhe nuk është vetëm ky term, janë edhe dy gjëra të tjera që nuk janë përmend në publik, por që janë shumë të rëndësishme”, ka thënë Hoti për KP.
Ai ka treguar se arritja e kësaj marrëveshje nuk është afër edhe për disa çështje tjera.
“Pjesë të tjera që po e them, kanë të bëjnë me rolin më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në procesin e personave të zhdukur, sepse ne e kemi provuar deri sot dhe vazhdojmë të provojmë këto marrëdhëniet tona Kosovë-Serbi për fatin e personave të zhdukur, ne e dimë se si Serbia luan lojë politike me këtë çështje, prandaj e kemi parë të rëndësishëm që kjo çështje të kalojë në Bruksel, që BE-ja të luajë rol pak më të rëndësishëm, pak më vendimmarrës në çështjet e personave të zhdukur. Edhe këtë e kam kërkuar edhe atje, edhe kjo është një problem që është duke u trajtuar brenda kësaj deklarate”, është shprehur Hoti.