Hoti i reagon Hazirit: Nuk ka eksperimente me LDK-në, rezultati dha mesazh të qartë
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me reagim pas deklaratës së Lutfi Hazirit në T7.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se nuk duhet të ketë eksperimente me LDK-në dhe se rezultati dha mesazh të qartë.
“Eksperimente me LDK-në dhe me të ardhmen e saj nuk do të ketë.
Rezultati ka dhënë një mesazh të qartë: LDK duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat e saj dhe te vizioni që e ka ndërtuar këtë parti. Duhet të luftojmë çdo mentalitet që dobëson aleancat tona historike dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës.
LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik”, ka shkruar ai.
Haziri, është pyetur për një marrëveshje pako ku u shpreh se si opozitë, “nuk duhet të gjejmë tabelën e qitjes dhe të godasim çdo ditë emra të përveçëm”.
“Po, kjo është ajo që ne e shohim si të mirën e vendit për stabilitet institucional. Fundja, nëse qytetarët na e kanë dhënë këtë peshë politike, ne dimë ta ushtrojmë edhe rolin e opozitës. Por, edhe si opozitarë, duhet të vlejë thirrja se opozita është pjesa e shëndetshme e pushtetit, që të tregon si të punohet, por nuk ka përgjegjësi të punojë. Ne tash, pse jemi opozitë, nuk duhet të gjejmë tabelën e qitjes dhe të godasim çdo ditë emra të përveçëm”, tha ai.