Hoti: Ligjëratat e Kurtit nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga Samiti i Tiranës
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikua kryeministrin Albin Kurti, i cili nuk ka marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, i cili është mbajtur sot në Tiranë.
Ai ka bërë me dije se nuk ka pasur asnjë arsyetim që kryeministri të ikë nga ky samit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se ligjëratat e kryeministrit Kurti nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim.
“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”, ka shkruar Hoti.
Ish-kryeministri i Kosovës ka vlerësuar se samiti në fjalë është vendi për t`i prezantuar projektet dhe nevojat që ka Kosova.
“Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës. Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, ka shkruar Hoti.