Hoti: Gjatë viteve 2021-2025 janë shpenzuar afër 3 miliard euro, ku janë shpenzuar gjithë këto mjete?
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se gjatë viteve 2021-2025 janë shpenzuar afër 3 miliard euro në shpenzime kapitale nga buxheti i shtetit.
Ai ka vlerësuar se është vështirë të identifikohen projektet ku janë shpenzuar gjithë këto mjete.
Derisa ka prezantuar në tabelë në profilin e tij në Facebook, ai ka shtruar edhe një pyetje për Qevrinë.
“Nga analiza e buxhetit rezulton se gjatë viteve 2021-2025 janë shpenzuar afër 3 miliard euro në shpenzime kapitale nga buxheti i shtetit. Pasi të hiqen investimet e komunave, që janë relativisht në shuma të vogla, është vështirë të identifikohen projektet ku janë shpenzuar gjithë këto mjete. Rrugët kryesore rajonale janë ende të papërfunduara, sikurse edhe autostrada e Anamoravës, që nënkupton se ato ende nuk janë paguar. Dy projekte të mëdha, hekurudha për Durrës dhe tuneli Prizren-Tetovë, që pritej të shpenzonin pjesë të madhe të buxhetit për investime kapitale, as nuk kanë nisur. Atëherë ku janë shpenzuar gjithë këto mjete?”, ka shkruar ai.