Hooper: Kurti i ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet Kosovë – ShBA, të riparohen ato
“Plus, është e rrezikshme për Kosovën që Shtetet e Bashkuara të përfshihen tani, sepse kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti i ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Dhe, derisa kjo marrëdhënie nuk riparohet, përfshirja e SHBA-së nuk do të jetë ndihmesë për Kosovën” – thotë ish diplomati amerikan, James Hooper, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Për ndryshimet e rrufeshme që po ndodhin gjithandej në botë, me ardhjen e Administratës Trump dhe çka mund të ndodhë në raport me Kosovën, ish-diplomati amerikan James Hooper, thotë se fillimisht Kosova duhet t’i riparojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I pyetur nga REL, se a do të ishte në favor të Kosovës, përfshirja e ShBA-së në dialog me Serbinë në këto momente, Hooper nënkupton se ‘do të ishte e rrezikshme’ – referuar raporteve të Qeverisë Kurti me ShBA-të në vitet e fundit.
“…Pra, është shumë vështirë që kosovarët të presin se Shtetet e Bashkuara do t’u vijnë në ndihmë ose do t’i ndihmojnë në të njëjtën mënyrë siç i kanë ndihmuar [mbi] 20 vjet më parë në luftën me Serbinë.
Unë, thjesht, nuk e shoh se kjo mund të ndodhë. Plus, është e rrezikshme për Kosovën që Shtetet e Bashkuara të përfshihen tani, sepse kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti i ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Dhe, derisa kjo marrëdhënie nuk riparohet, përfshirja e SHBA-së nuk do të jetë ndihmesë për Kosovën.
Kështu që, gjëja e parë që duhet të bëjë kryeministri Kurti - nëse do që t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara - është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe më pas t’i përfshijë ato”, tha Hooper.