Hedhja e gazit në zyrat PD-së, Berisha paralajmëron “hakmarrje”: Do ketë sulme asgjësuese në selitë e PS në gjithë vendin
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar policinë shqiptare se në protestën e djeshme në mënyrë të qëllimshme ka hedhur gaz lotsjellës brenda selisë së Partisë Demokratike.
Ai ka paralajmëruar “hakmarrje” për këtë veprim.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ai ka thënë se do ketë sulme asgjësuese në selitë e PS në gjithë vendin.
“Dënoj gjuajtjen me seleksion të qytetarëve me bombola gazi, pas koke njërit prej tyre, në gjoks nënkryetarit të PD dhe deputetit të PD, Luçiano Boçi, dhe të tjerëve me mjete me gaz, me plumba gome, etj. Garantoj Edi Ramën se për të gjitha këto do jetë përgjegjës”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, hedhja e gazit në drejtim të zyrës së PD-së përbën agresion të hapur ndaj kësaj partie.
“Por në përshkallëzimin e tyre të djeshëm në një akt urrejtje të papërmbajtur janë hedhur në oborrin e selisë së PD sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe bomba tymuese. Ky përbën një agresion të hapur ndaj selisë së PD dhe pluralizmit. Me këtë rast u kërkoj të gjitha degëve të bëjnë rikonjicionin e plotë të selive të PS në çdo rreth. Dhe garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme asgjësuese për selitë e partisë së krimit në të gjithë territorin e vendit. Ndaj dhe hiq dorë nga aventura dhe provokimi i ulët. Ne betejën e kemi me Edi Ramën si kryeministër i krimit, si kryetar i organizatës kriminale. Por në qoftë se ju sulmoni selinë e PD, PD do u përpiqet ju ashtu siç e meritoni”, është shprehur Berisha.