Haxhiu: Testimi i virgjërisë nuk ka lidhje me fenë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nevoja për të kthyer vepër penale testimin e virgjërisë ka ardhur pas raportimeve të kahershme nga mjekësia ligjore, se shumë njerëz bëjnë edhe testime të virgjërisë.
Haxhiu gjatë një interviste në “Euronews Albania”, është shprehur se testi i virgjërisë bëhet edhe në Shqipëri dhe nuk ka lidhje me fenë.
“Më duhet ta kundërshtoj fuqishëm se nuk besoj se ka të bëjë me fenë, është gabim ta thuash. Si Kosova dhe Shqipëria kanë probleme të njëjta në këtë drejtim, dhe raste të tilla të testit të virgjërisë bëhen edhe në Shqipëri, ndaj edhe Shqipëria duhet ta hapë si diskutim këtë për të mbrojtur gratë”, tha Haxhiu.
Gjatë kësaj interviste, Haxhiu ka folur edhe për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares, ku është shprehur se shtimi i rasteve të dhunës në familje dhe abuzimeve seksuale është shqetësues në Kosovë.
“Në Kosovë ndryshimet në kodin penal janë pritur shumë mirë. Gratë dhe vajzat në Kosovë nuk janë të sigurta në shtëpitë e tyre. Një përqindje e vogël e dhunës raportohet. Në rastin e vajzës 11-vjeçare kemi parë dështimin e sistemit që nuk ka mundur ta mbrojë”, tha ministrja Haxhiu.
