Haxhiu takohet me Presidenten e Bullgarisë, kërkon mbështetje për rrugën euroatlantike të Kosovës
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar takim me Presidenten e Bullgarisë, Iliana Iotova, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po mbahet në Sofje.
Gjatë takimit, Haxhiu e uroi Iotovën për marrjen e detyrës, ndërsa shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në proceset shtetndërtuese, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në rrugën euroatlantike të vendit.
Sipas njoftimit për media, në takim u diskutua edhe për hapat e ardhshëm të Kosovës në procesin e integrimit evropian, për mbështetjen në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe për rëndësinë e një perspektive më të qartë të Kosovës drejt NATO-s.
Haxhiu ka theksuar gjithashtu interesimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes, ekonomisë dhe arsimit, si dhe për forcimin e lidhjeve mes institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve.