Haxhiu i drejtohet prokurorisë: Nëse doni dëshminë e Kurtit, shkoni në zyrën e tij
Nëse Prokuroria Speciale dëshiron të merr dëshminë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e Rezervave Shtetërore, duhet të shkojë në zyre të tij siç ka kërkuar, ka thënë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencë për media.
“Kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim, përkundrazi kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri që kërkesa e tyre të realizohet. Kabineti i kryeministri i ka propozuar tri data se kur mund të realizohet kjo kërkesë bazuar në agjendën e kryeministrit Kurti, dhe tashmë gjatë kësaj jave kanë mbetur dy data që kabineti i kryeministrit i ka propozuar Prokurorisë Speciale”, ka thënë ajo.
“Nuk ka asnjë arsye që prokurorët që thuhet se janë të interesuar që të marrin dëshminë e kryeministrit Kurti për rezervat shtetërore, të refuzojnë kërkesën e kryeministrit Kurti për ta intervistuar në zyre siç ka kërkuar kryeministri. Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, ka ndodhur edhe në të kaluarën por nuk duam të flasim”, është shprehur Haxhiu.
“Nëse PS është e interesuar që ta marrë dëshminë e kryeministrit, lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së kabinetit Kurti. Prokuroria speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën tonë, për ta bllokuar punën tonë, për ta dëmtuar LVV-në dhe qeverinë siç zakonshëm kanë bërë”, tha ajo.