Haxhiu fton institucionet e drejtësisë që të angazhohen për nxjerrjen e autorëve të krimeve të luftës para drejtësisë - NACIONALE

Haxhiu fton institucionet e drejtësisë që të angazhohen për nxjerrjen e autorëve të krimeve të luftës para drejtësisë

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar institucionet e drejtësisë që të angazhohen me gjithë kapacitetet e tyre për të ndjekur përgjegjësitë e krimeve të luftës në Kosovës.

Në përvjetorin e 27 të masakrës së Dyzit të Podujevës, ajo ka thënë se kryesit e kësaj masakre dhe krimeve tjera të luftës duhet të nxirren para drejtësisë.

“Si institucione të Republikës së Kosovës, kemi krijuar bazën ligjore për ndjekjen dhe dënimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë. Prandaj, sot nga ky vend, u bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të angazhohen me gjithë kapacitetet e tyre, që të ngrenë aktakuzat dhe gjykimet ndaj përgjegjësve për këto krime të rënda. Drejtësia nuk duhet të mungojë”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka bërë me dije se ata që u vranë në këtë masakër ishin civilë të paarmatosur.

“Aty nuk kishte ushtarë. Aty kishte burra, gra, fëmijë, pleq e njerëz të zakonshëm që kërkonin vetëm të jetonin në paqe. Aq kërkonin, të jetonin në paqe e të jetonin me dinjitet. Por, ata u përballën me një dhunë të organizuar, të planifikuar, u përballën me një dhunë çnjerëzore”, është shprehur ajo.

Lajme të ngjashme