Hargreaves: Kosova duhet të tregojë se mund të marrë vendime dhe të ecë përpara
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se Kosova duhet të dëshmojë me veprime konkrete gatishmërinë për të avancuar në rrugën euroatlantike.
Në një intervistë për IndeksOnline, ai rikonfirmoi mbështetjen e Londrës për synimet e Kosovës drejt NATO-s, BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, por theksoi se përparimi nuk është i garantuar.
“Kosova duhet t’i bindë aleatët se është e gatshme.”
Sipas tij, kjo kërkon demokraci të besueshme, institucione funksionale, qeveri stabile dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet.
“Në një kohë të presioneve më të gjera globale, partnerët e Kosovës po kërkojnë aleatë të besueshëm dhe efektivë. Kosova mund të jetë një prej tyre, por duhet të tregojë se mund të marrë vendime dhe të ecë përpara”, deklaroi ambasadori britanik.