Haradinaj transparent: Planin për marrëveshje e kam lexuar rresht për rresht në zyrën e Kurtit
Kryetari i Aleancës Demokratike të Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdon të thotë se e ka parë planin për kornizën e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Madje, ish-kryeministri i Kosovës ka zbuluar edhe detaje shtesë në një intervistë në T7.
Ai ka thënë se planin e kësaj marrëveshje e ka lexuar në zyrën e kryeministrit Albin Kurti së bashku me bashkëpartiakun e tij Ardian Gjini, të ciliët i ishin përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit për takim para disa ditësh.
“Së fundmi e kam dëgju prej kryeministrit Kurti, e kem lexu aty. E kemi kthy, me Ardianin (Gjinin) kemi qenë bashkë, dytë e kemi lexu. Nja 1 or jemi marrë me to. E kam lexuar rresht për rresht. Sdi që kemi mujt me lon kësaj here, nuk është bashkë me lon. Shumë vështirë ka me qenë me lon kësaj here.Besoj që ka fokusim të madh që këtë vit të kryhet kjo cështje”, tha Haradinaj.
Haradinaj insiston se plani franko-gjerman i përfolur si kornizë marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, parasheh njohje praktike të Kosovës nga Serbia.
Kreu i Aleancës thotë se me këtë marrëveshje SHBA-ja ia heq Kosovës varshmërinë nga Serbia në aspekt shumëdimensional.
“Amerikanët në njëfarë mënyrë do ta heqin Kosovën nga varshmëria ndaj Serbisë në cilindo aspekt të ekzistencës. Serbia ndoshta nuk do t’i hiqet varshmëria ndaj Kosovës, do të thotë a na njihni për të hyrë në BE”, ka deklaruar ai.
