Haradinaj: Prodhuesit vendorë të qumështit po përballen me një situatë shumë të rëndë
Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka vlerësuar se prodhuesit vendorë të qumështit po përballen me një situatë shumë të rëndë.
Ai i ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të zhvillojnë dialog me prodhuesit dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se një industri e fortë e qumështit është në interes të gjithë Kosovës.
“Sektori i qumështit është një nga shtyllat kryesore të bujqësisë dhe ekonomisë së Kosovës. Çdo shtet serioz duhet ta mbrojë prodhuesin vendor, fermerin dhe përpunuesin, duke krijuar kushte për zhvillim dhe eksport, e jo duke marrë vendime që rrezikojnë mbijetesën e industrisë. Mbrojtja e konsumatorit dhe etiketimi korrekt janë të domosdoshme. Megjithatë, nëse produktet janë të deklaruara qartë dhe i plotësojnë standardet ligjore, masat duhet të jenë proporcionale dhe të bazuara në ligj”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Sot, për fat të keq, prodhuesit vendorë po përballen me një situatë shumë të rëndë. Në vend që institucionet dhe agjencitë përgjegjëse të punojnë për t'i ndihmuar prodhuesit të gjejnë zgjidhje dhe të ruajnë prodhimin, ato po ndërmarrin masa që, sipas prodhuesve, po e paralizojnë industrinë e qumështit. Ndërkohë nuk po shihen hapa konkretë për të lehtësuar situatën apo për të mbështetur sektorin”, ka shkruar ai.