Haradinaj: Pritja para zyrës me stafin e Presientes mu duk pak si ofendim
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë detaje nga takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se është ndjerë i ofenduar kur u la në pritje nga stafi i Presidentes.
Haradinaj zbuloi detaje nga takimi gjatë intervistës në "Politiko", ku akuzoi zyrën e Presidentes për një trajtim jo-profesional.
“Zyra e Presidentes ka kërkuar takim në bazë të procedurave disa ditë më herët, pra të enjten për të hënën dhe ka propozuar për orën 12. Ne e kemi aprovuar këtë kërkesë duke mos ndryshuar as datën, e as orën, as vendin, kështu duke mos ndërhy në asnjë detaj të kërkesës. Po ashtu në kohë pra në orën 12 kemi mbërri te zyra e Presidentes dhe aty na është propozuar nga protokolli i Presidentes që të zëmë vend diku para zyrës, sepse presidentja po e vazhdon takimin me kryetarin Abdixhiku. Meqenëse ftesa ishte e Presidentes, propozimi për orën ishte i saj dhe çdo gjë tjetër ne e kishim konfirmuar propozimin e saj, atëherë vlerësuam se të shohim një ditë tjetër, pra kurdo që lirohet Presidentja me u takua”, deklaroi ai.
Kreu i AAK-së vijoi për të treguar se si u ndje gjatë pritjes para zyrës së saj.
“Me prit ne para zyrës me stafin e Presientes mu duk pak si ofendim”, pohoi kreu i AAK-së.