Haradinaj për largimin e punëtorëve teknikë nga QKUK: Populli po e sheh mashtruesin
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku punëtorët e sigurimit janë larguar nga puna.
“Në QKUK po ndodh largimi i punëtorëve të sigurimit dhe askush nga institucionet përkatëse nuk ka marrë asnjë hap për të zgjidhur këtë krizë. Këta punëtorë janë lënë pa kafshatën e gojës,” ka shkruar Haradinaj në një reagim në rrjetet sociale.
Ai ka shprehur përkrahje të plotë për kërkesat e punëtorëve, duke theksuar se ato janë legjitime dhe nuk përbëjnë kërkesa të tepruara. “Jam fuqishëm në përkrahje të kërkesave të tyre – nuk kërkojnë gjë tjetër përveç së drejtës për të jetuar dhe për të punuar me dinjitet,” ka thënë ai.
Në fund të reagimit të tij, Haradinaj ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për, siç tha ai, mungesën e reagimit ndaj krizave të njëpasnjëshme që po godasin vendin. “Ky shtet po përballet me aq shumë skandale ditore, saqë është bërë e vështirë t’i përcjellësh. Por populli po vetëdijësohet – po e sheh realitetin dhe po e kupton mashtrimin më të madh në historinë e Kosovës,” ka përfunduar Haradinaj.