Haradinaj: Një kryeministër që sulmon mediat, sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik - NACIONALE

Haradinaj: Një kryeministër që sulmon mediat, sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me gjendjen e lirisë së mediave në Kosova, duke kritikuar qasjen e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Në deklaratën e tij, Haradinaj thekson se liria e shtypit është themel i demokracisë dhe jo privilegj i mediave. Ai paralajmëron për atë që e quan përpjekje të pushtetit për të “ngulfatur” hapësirën mediatike, duke nënvizuar se respekti ndaj gazetarëve duhet të jetë i pakushtëzuar dhe jo selektiv.

Sipas tij, media luan rol kyç në mbajtjen përgjegjëse të pushtetit dhe në informimin e drejtë të qytetarëve, ndërsa gazetarët dhe ekipet teknike shpesh punojnë në kushte të vështira për të sjellë të vërtetën në publik. Haradinaj vlerëson kontributin e tyre si shërbim publik të pazëvendësueshëm.

Ai gjithashtu kritikon gjuhën që, sipas tij, përdoret nga nivelet më të larta të pushtetit ndaj mediave, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme dhe të dëmshme për demokracinë dhe besimin qytetar.

“Për fat të keq, sot kemi krijuar një klimë ku nga maja e pushtetit shpesh dëgjojmë gjuhë ofenduese ndaj mediave. Kjo nuk i shërben as demokracisë, as besimit të qytetarëve. Kritika ndaj mediave është e drejtë, por ajo duhet të jetë argumentuese, jo denigruese.

Një kryeministër që sulmon median, në thelb sulmon një nga shtyllat kryesore të shtetit demokratik. Ai linçon dhe tenton të drejtojë me qëllim të keq”, ka thënë ai.

Në fund, Haradinaj premton një qasje ndryshe ndaj mediave, duke theksuar se raporti duhet të jetë i hapur, korrekt dhe i ndershëm. Ai garanton se nuk do të ketë shmangie nga pyetjet apo gjuhë përçmuese, duke shtuar se përgjegjësia e politikës është të japë përgjigje dhe jo të zgjedhë pyetjet.

Postimi i tij përmbyllet me mesazhin se një shoqëri pa media të lirë është një shoqëri pa zë, duke shprehur besimin në një Kosovë ku, sipas tij, “zëri i së vërtetës nuk ndalet kurrë.”

Lajme të ngjashme