Hapet konkursi për Guvernator të BQK-së
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se ka hapur konkurs për plotësimin e pozitës Guvernator të BQK-së, kjo pasi guvernatorit aktual, Fehmi Mehmetit, i skadon mandati në mars të vitit 2023.
Në një njoftim të Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se afati i fundit për aplikim është deri me datë 16 dhjetor të këtij viti.
Siç thuhet në njoftimin e BQK-së, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga data 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.
Kriteret që kërkohen për këtë pozitë janë: Integriteti dhe përgatitja universitare, të ketë minimum dhjetë (10) vite përvojë profesionale ose akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështje juridike, të ketë njohuri në zhvillimin dhe implementimin e politikave të rëndësishme të lidhura me misionin, objektivat dhe detyrat e BQK-së, të ketë përvojë dhe aftësi menaxheriale, të përmbushë kërkesat nga neni 40 i Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe njohja e gjuhës angleze dhe gjuhëve tjera që paraqet përparësi për kandidatët.