Hamza: Nënkryetarët nuk janë çështje emrash, por Kushtetute
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kundërshtuar idenë që zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit të kushtëzohet me ndryshimin e kandidatëve të propozuar nga partitë.
Në një prononcim për Debat Plus, Hamza tha se përfaqësimi në Kryesinë e Kuvendit është i përcaktuar me Kushtetutë dhe nuk mund të varet nga pëlqimi i subjekteve të tjera.
“Është e rregulluar me Kushtetutë kujt i takojnë nënkryetarët”, deklaroi ai, duke shtuar se këto pozita u takojnë partive sipas renditjes së dalë nga zgjedhjet.
Sipas Hamzës, PDK-ja duhet ta përcaktojë vetë përfaqësuesin e saj dhe jo të pranojë ndërhyrje nga jashtë.
“Nuk është çështje emrash kjo. Nuk janë ata që e përcaktojnë kush ka me qenë nënkryetar nga radhët e PDK-së”, tha kreu i partisë.
Hamza e interpretoi kundërshtimin e kandidatëve si përpjekje për ta zgjatur ngërçin institucional.
“Kjo është një gjetje e re e tyre për me vazhdu këtë vakum institucional”, tha ai.