Hamza nga Haga: Kosova i pret bijtë e saj me krenari, do t’i gëzojmë më 28 dhjetor
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, njëherit kandidat i kësaj partie për kryeministër, ka qëndruar për vizitë në Hagë, aty ku po mbahen në paraburgim, ish-krerët e UÇK-së dhe Kosovës.
Hamza ndër të tjera ka shkruar se ata ishin me shëndet mirë, dhe se Kosova do t’i pret bijtë e saj me krenari, duke shtuar se “ata do t’i gëzojmë më 28 dhjetor”.
E plotë:
“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu.
Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare.
Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi.
Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!”