Hamza: Nga e hëna, do të ketë llogaridhënie për paratë publike dhe abuzimin me shtetin
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë aktuale dhe kryeministrit në ikje, duke thënë se pas zgjedhjeve do të nisë një qasje e re ndaj përgjegjësisë institucionale.
Hamza tha se llogaridhënia do të jetë një nga parimet kryesore të qeverisjes së ardhshme, veçanërisht në raport me përdorimin e parasë publike, vendimmarrjen institucionale dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
“Do të ketë llogaridhënie për paratë publike. Do të ketë llogaridhënie për vendimet e dyshimta. Do të ketë llogaridhënie për abuzimin me shtetin. Do të ketë llogaridhënie për çdo euro të taksapaguesve që është përdorur për interesa partiake e jo për qytetarët. Sepse shteti nuk është pronë e një njeriu. Paratë publike nuk janë fond partiak. Institucionet nuk janë mburojë për pushtetin. Në Republikën e Kosovës, pushteti buron nga qytetari. Dhe pushteti duhet t’i përgjigjet qytetarit”, ka thënë Hamza.