Hamza: Më 16 shtator duhet të marrë fund procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që më 16 shtator të përfundojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, duke thënë se pas gjashtë vjetësh ata duhet të kthehen në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Hamza ka kujtuar se nga 16 shtatori ndajnë edhe 30 ditë, duke e cilësuar procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si të padrejtë.
“Sot na ndajnë 30 ditë nga 16 shtatori, dita kur do të marrë fund procesi gjashtëvjeçar i padrejtë, që i ka mbajtur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të izoluar në Hagë”, ka shkruar Hamza.
Ai ka thënë se gjashtë vitet e fundit kanë qenë periudhë e rëndë si për familjet e tyre, ashtu edhe për Kosovën, duke përmendur paraburgimin, procesin gjyqësor dhe, sipas tij, narrativat politike që e kanë shoqëruar atë.
“Gjashtë vite paraburgim. Gjashtë vite larg familjeve dhe Kosovës. Gjashtë vite përballje me paragjykime, tendenca, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi të shumta”, ka deklaruar kreu i PDK-së.
Hamza ka shtuar se pritjes duhet t’i vijë fundi dhe se 16 shtatori duhet të shënojë mbylljen e këtij kapitulli.
“Pas gjashtë vitesh, 16 shtatori duhet të jetë dita kur mbyllet ky kapitull i dhimbshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin tonë. Duhet të jetë dita kur katër ish-udhëheqësit e UÇK-së kthehen në shtëpi”, ka shkruar ai.
Postimin e ka përmbyllur me mesazhin: “Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi.”