Hamza kundër përçarjes, del me videothirrje për përbashkim
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar sot një video-mesazh në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke vënë theksin te nevoja për bashkim dhe tejkalim të përçarjeve politike.
Në mesazhin e tij, Hamza shprehet se qytetarët janë të lodhur nga krizat e vazhdueshme dhe ndarjet politike, të cilat, sipas tij, kanë dëmtuar shoqërinë dhe funksionimin e shtetit. “A nuk jeni lodhur ende nga përçarjet dhe krizat? Unë po. Sepse kur jemi të ndarë, humbim të gjithë. Humb qytetari. Humb shteti. Humb Kosova,” deklaron ai.
Hamza thekson se nuk beson në një politikë përjashtuese, por në një qasje që synon bashkimin dhe forcimin e vendit. “Unë nuk besoj në politikë që përçan. Unë besoj në bashkim. Sepse vetëm bashkë jemi më të fortë. Vetëm bashkë fitojmë,” shprehet kandidati për kryeministër.
Në përmbyllje, ai u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen vizionit të tij për zhvillim dhe stabilitet. “Ju ftoj të më bashkoheni për ta çuar Kosovën përpara,” thuhet në mesazh.