Hamza: Jemi krenarë që lufta e UÇK-së bëri që SHBA-ja dhe NATO t'i bashkohen kauzës sonë për liri
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka kujtuar fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Kumanovës dhe futjen e trupave të KFOR-it në Kosovë.
Ai ka bërë me dije se kjo ishte një rilindje për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamza ka shkruar se ndihet krenarë që lufta e UÇK-së bëri që SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-s t'i bashkohen kauzës sonë për liri.
“Pas shumë ditëve pa bukë e netëve pa gjumë, pas shumë vrasjeve makabre e plagëve të hapura nga fronti ku luftohej për jetë a vdekje, liria e shumëpritur më në fund erdhi. Ishte 11 qershori i vitit 1999 kur filloi zbatimi i marrëveshjes së Kumanovës dhe forcat e paqeruajtësve të KFOR-it tashmë ishin nisur drejt Kosovës. Ishte si rilindje për ne, ndonëse me emocione të përziera e dhimbje të shumta për humbjet që pësuam gjatë luftës. Jemi krenarë që lufta e UÇK-së bëri që SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-s t'i bashkohen kauzës sonë për liri, duke na përkrahur masivisht në ditët më të vështira që po i kalonte populli ynë”, ka shkruara ai.
Sipas tij, sakrifica e Kosovës për liri ishte e madhe.
“Sakrifica për liri ishte e pashembullt. Heroizmi i burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, ishte i pashoq. Ndërsa, intervenimi i NATO-s ishte jetik që ne ta fitonim lirinë për të cilën sakrifikuan shumë gjenerata. Lavdi të gjithë të rënëve dhe mirënjohje të përjetshme NATO-s, SHBA-së dhe gjithë partnerëve tanë!”, ka shkruar ai.