Hamza i shkruan Presidentes: Emëroni anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, mosveprimi është shkelje kushtetuese
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Këtë kërkesë ai ia ka bërë përmes një letre që ia ka dërguar sot.
Në këtë letër, Hamza ka theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje.
Sipas Hamzës, Kushtetuesja ka konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.
Ai ka vlerësuar mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
I pari i PDK-së i ka bërë thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së.
