Meta reagon për “copëtimin” e rrugës me emrin e Rugovës në Tiranë: Hakmarrje tipike komuniste
Analisti Bardhyl Meta ka reaguar pas ‘copëtimit’ të rrugës Ibrahim Rugova në Tiranë, ku ka thënë se Erjon Veliaj ka ndërmarr një hap shumë të ulët dhe antihistorik.
Meta ka shkruar se ka mijëra rrugë e bulevarde të pa emëruar në Tiranë, dhe se ata kanë zgjedhur rrugën që mbante emrin e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova që ta sakatojnë.
‘“Marenglen* - Erion Veliaj”, sakaton n’Tiranë, Rrugën Ibrahim RUGOVA”! Erion Veliaj (me shumë gjasë edhe Edi Rama) paskan ndërmarr një hap shumë të ulët dhe antihistorik! Nga mijëra rrugë e bulevarde lagjesh të reja, por ende - t’pa emër të Tiranës - paskan përzgjedhë që t’sakatojnë rrugën Tiranase që mbante emrin e Presidentit Kosovar Ibrahim Rugova!? - Vetëm një Zot e di se çfarë borxhe t’palara paskan pas ende tek Miladin Popoviqi e Aleksandër Rankoviqi (i dekoruar me Medaljen më të Lartë nga Tirana zyrtare) që n’vitin 2023, pa asnjë hall as emergjencë, t’ofendojnë e lëndojnë shumëkënd, andej e këndej kufirit!?” – ka shkruar ai.
Sipas Metës e gjithë kjo nuk është rastësi, por hakmarrje tipike komuniste.
“S’është e rastit, por hakmarrje tipike komuniste, meqë prijësi Kosovar atëbotë kur u prit n’Tiranën (ende) staliniste nga Ramiz Alia - kishte refuzuar të përkulej me nderime para varrit të diktatorit stalinist dhe antikombëtar, Enver Hoxha…! E Majta shqiptare si duket ka trashëguar dhe po e bart edhe sot me fanatizëm atë dergjen e pamendësinë anacionale e komuniste, e cila ka qenë dhe mbetet edhe sot, e zonja që t’prodhojë vetëm urrejtje, ndasi e lëndime ndër shqiptarë! “ – ka shkruar Meta.
