Hamiti: Jeta e Enver Malokut ka qenë kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar
Lidhja Demokratike e Kosovës sot e ka përkujtuar dhe nderuan veprën e intelektualit dhe gazetarit Enver Maloku.
Në 26-vjetorin e vrasjes së tij, anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar lartë kontributin e Malokut.
Ai ka vlerësuar se jeta e Enver Malokut ka qenë kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar mbas atentatit të parë ndaj tij.
“Jeta e Enver Malokut (1954-1999) ka qenë kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar mbas atentatit të parë ndaj tij, më 18 korrik 1998. Maloku është vrarë para 26 vjetësh në atentatin e dytë, më 11 janar 1999. Vrasje e pazbuluar edhe sot. E kryer me siguri nga qarqe anti-shqiptare, kundër pavarësisë së Kosovës. Enver Maloku, që kishte mbaruar studimet për letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ka punuar 11 vjet gazetar i kulturës në Raditotelevizionin e Prishtinës (RTP), prej vitit 1979 deri në korrik të vitit 1990, kur RTP-në e pushtoi Serbia, duke i përjashtuar shqiptarët prej tij. Enver Maloku ka punuar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK), fillimisht Qendër për Informim e LDK-së, nga viti 1991. Nga viti 1993 ka qenë shef i QIK-ut. Shef i parë i QIK-ut ka qenë Ibrahim Berisha”, ka thënë ai, sipas një njoftimi të LDK-së.