Hamiti: Dredhia e Qeverisë për Asociacionin nuk kalon - NACIONALE

Hamiti: Dredhia e Qeverisë për Asociacionin nuk kalon

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mospublikimin e draftit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka bërë me dije se ekzekutivi po bën dredhi për Asociacionin, duke thënë se edhe më herët ka pasur drafte të tilla.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se më herët nuk ka pasur drafte për Asociacionin.

“‘E pamundur të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit dokument që qarkullon në publik’! Me një rreng të tillë Qeveria e Kosovës nuk mund të shesë mjegull se Drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është më i avancuar (përparuar), që i bjen më i mirë, se ata të viteve 2013 dhe 2015. Në vitet 2013 dhe 2015 kishte përvijime të Asociacionit, por jo drafte. Po dalka të jetë më i mirë se ata që nuk ekzistojnë. Rrengu nuk kalon! Thjesht, le të përgjigjen: a është apo nuk është ky Drafti që u është dhënë dhe e kanë pranuar? Apo nuk e kanë pranuar? Nuk po e bën publik Draftin e po pret që dikush t’i besojë se është i mirë. Kjo s’ka kuptim. Pse? Sepse Qeveria, Kurti me të vetët, kanë thënë me vjet se s’e bëjnë fare Asociacionin (Zajednicën). Domethanë po e bëjnë të kundërtën e asaj që kanë thënë. Po e prishin kontratën me votuesit e vet. Janë të pabesueshëm edhe për ta. Për të tjerët edhe ashtu kanë qenë të pabesueshëm”, ka shkruar ai.

Më tej, ai ka vlerësuar se Qeveria nuk po tregon mënyrën se si po e formon Asociacionin.

Si po e bëjnë tash Asociacionin s’po tregojnë. Nëse është i vërtetë ky Draft që doli në publik, po e bëjnë shumë të keq, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Kosovës, me fuqi ekzekutive: entitet pushtetor autonom serb, me lidhje të fuqishme me Serbinë. Po të zbatohej, do t’ia ndërronte karakterin kushtetues Republikës së Kosovës. Do të ishte aranzhman më i përparuar për Serbinë, por jo për Kosovën. Gjithsesi, le të theksohet, ky interpretim vlen nëse është i vërtetë ky Draft që doli në publik së fundmi. Nëse jo, le ta bëjnë publik që ta lexojmë e ta interpretojmë vetë të vërtetin. E kanë obligim ta bëjnë publik, sepse prek interesat e qytetarëve, të vetë shtetit tonë. Të shpresojmë që të jetë ndryshe prej preambulës e deri në nenin e fundit. Fillimisht, pa referencë në Rezolutën 1244 të OKB-së. Urojmë të mos jetë i vërtetë Drafti që doli në publik së fundmi!”, ka shkruar Hamiti.

Lajme të ngjashme