Hamasi e kundërshton planin e ri të ShBA-së për armëpushim, të përkrahur nga Izraeli
Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë televizionit BBC se grupi palestinez do ta refuzojë propozimin më të ri të Shteteve të Bashkuara për një marrëveshje armëpushimi e për lirimin e pengjeve izraelite.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Izraeli e kishte pranuar planin e emisarit amerikan, Steve Ëitkoff, dhe se shte duke pritur një përgjigje formale nga Hamasi, raporton televizioni britanik.
Mediat në Izrael cituan zyrtarë izraelitë të kenë thënë se me këtë plan, Hamasi do të dorëzonte dhjetë pengje të gjalla dhe trupat e 18 pengjeve të vdekura në dy faza në këmbim të një armëpushimi 60-ditor dhe lirimit të disa të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.
Megjithatë, zyrtari i Hamasit tha se propozimi amerikan nuk i plotëson kushtet kyçe të grupit, përfshirë përfundimin e luftës, dhe se Hamasi do të përgjigjej në kohën e duhur.
Qeveria izraelite nuk ka komentuar, por kryeministri Benjamin Netanyahu raportohet t’u ketë thënë familjeve të pengjeve të enjten se ai e ka pranuar planin e emisarit amerikan.
Izraeli vendosi një bllokadë të plotë ndaj enklavës palestineze dhe e rinisi ofensivën ushtarake kundër Hamasit më 18 mars pas shembjes së një armëpushimi dymujor të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti.
Më 19 maj, ushtria izraelite nisi një ofensivë të zgjeruar me të cilën Netanyahu tha se trupat “do ta marrin kontrollin e të gjitha zonave” të Gazës. Të nesërmen, ai tha se Izraeli gjithashtu do ta lehtësonte bllokadën dhe do ta lejonte hyrjen e një sasie “bazike” të ushqimit në enklavë për ta parandaluar vdekjen nga uria.
Gati 4.000 njerëz janë vrarë në Gaza gjatë dhjetë javëve të fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje, e cila udhëhiqet nga Hamasi./Nacionale