Haliti: Shqiptarët dhe serbët e kanë furnizuar me dokumente Dick Martyn
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka bërë me dije se ka qenë shumë e vështirë të pengohet miratimi i raportit të Dick Martyt për UÇK-në në komisionet e Asamblesë së Këshillit të Evropës.
Haliti, i cili ka qenë përfaqësues i Kosovës në Komisionin për të Drejtat e Njeriut në KE-së në kohën kur është diskutuar raporti, ka thënë se raporti ndoshta ka mundur të pengohet vetëm në fazën fillestare të hartimit të tij.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se gjatë qëndrimin në Kosovës të Martyt askush nuk e ka ditur se pse ka ardhur.
Sipas tij, gjatë kësaj kohe ai është furnizuar me dokumente nga njerëz që nuk kanë qenë kompetent.
Haliti ka thënë se shqiptarët dhe Serbët e kanë furnizuar atë me informacione jo të sakta.
“Unë nuk e kam ditur që Dick Marty ka qenë në Kosovë për ta hartuar raportin, nuk e kam ditur që Marty ka qenë i autorizuar për të ndërtuar një raport me këto lloj të akuzash. Ai ka qëndruar në Kosovë dhe e kanë furnizuar shqiptarët e serbët, duke i dhënë dokumente çfarë kanë dashur ata. Mendoj që qeveria e atëhershme dhe strukturat e ish-UCK-së, pra strukturat e PDK-së dhe të AAK-së, kanë mundur me e furnizuar Martyn me të vërtetën rreth luftës. Këta njerëz kanë mundur ta furnizojnë më mirë se ata që nuk kanë pasur lidhje me UÇK-në. Sikurse të ishte furnizuar Marty me informata të duhura për këtë çështje, besoj se situata do të ishte ndryshe. Sepse pretendimet e Martyt kanë qenë të bazuar kryesisht në të dhëna të shërbimit sekret serb dhe në të dhëna të mediave që kanë qenë kundër UÇK-së”, ka thënë Haliti.
Me tej, ai ka treguar edhe qëllimin e vërtet të këtij raporti.
“Mendoj se raporti i Martyt ka pasur synim tjetër, jo UÇK-në. Mendoj se raporti ka pasur qëllimin që duke akuzuar UÇK-në për veprimet e përmendura aty të synojë përplasjen e SHBA-së dhe NATO-s me pjesën tjetër të botës. Sepse ai ka qenë i angazhuar edhe në një proces kundër SHBA-së, duke pretendua se CIA ka pasur burgje te fshehta nëpër vende të ndryshme të botës. Pra, beteja e këtyre që janë kundër SHBA-së, kundër luftës së UÇK-së dhe intervenimit të NATO-së në Kosovë, ka qenë që të argumentojnë gjeja krimet e UÇK-së që janë bërë në sy të NATO-së dhe ShBA-së”, ka thënë Haliti.