Halimi: Qeveria e ka harruar emigrimin, energjinë po e shpenzon për marrje të meritave për liberalizimin e vizave
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të një strategjie, e cila do të rriste vëmendjen për parandalimin e emigrimit.
Ajo ka bërë me dije se pushteti të gjithë energjinë e po shpenzon për të marrë meritat për liberalizim të vizave dhe askush nuk po merret me emigrimin.
Në profilin e saj në “Facebook”, Halimi ka shkruar se një qeveri që tejkalon propagandën do të duhet të merret me këtë çështje.
“Derisa partia në pushtet gjithë energjinë janë duke e shpenzuar për të marrë meritat për liberalizimin e vizave, asnjë strategji e planifikim, për të rritë vëmendjen tek parandalimi i emigrimit. Të analizohen sektorët dhe faktorët shtytës se ku dhe pse po ikin qytetarët. Një qeveri që tejkalon propagandën do të duhet të merret me një çështje me rëndësi si emigrimi. Trendi i qytetarëve të Kosovës për t'u larguar pritet të rritet, ndaj si e tillë kërkon vëmendje në nivel të planifikimit të politikave”, ka shkruar ajo, duke përmendur hulumtimin e instituti GAP, i cili tregon pse kosovarët po largohen nga Kosova.
“Sipas studimit të Institutit GAP, arsyeja e kryesore për marrjen e vendimit për ta lënë Kosovën, janë mundësitë më të mira për punësim, derisa destinacionet kryesore janë Gjermania me 71.4%, Zvicra 11.7% dhe Austria 5.3%. Ky pushtet nuk merret me të sotmen e problemet e qytetarëve; e kaluara vazhdon të mbetet kauza e tyre e vetme dhe mirëmbajtja e varfërisë me shtesa kur pushteti i tyre rrezikohet!”, ka shkruar Halimi.