Halimi: Paraqitja arrogante e Kurtit është shqetësuese, mllefi ndaj gazetarëve i patolerueshëm
Zëdhënësja Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi e ka cilësuar shqetësuese “paraqitjen arrogante” të kryeministrin Albin Kurti në konferenën e sotme për media.
Halimi përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se mllefi i Qeverisë ndaj gazetarëve është i patolerueshëm.
“Mllefi ndaj gazetarëve është i patolerueshëm, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të raportuar drejt për gjendjen e krijuar në veri. Kjo qeveri çdo ditë është duke e rrezikuar shtetësinë e jetën e qytetarëve. Ndërsa, gabimet në qeverisje mësynë t’i kompensojë me frikësimin e mediave dhe izolimin e vendit.” – u shpreh ajo.
Halimi e ka përmendur edhe rastin e Klan Kosova, duke thënë se kjo është ndërhyrje e Qeverisë në pavarësine editoriale të këtij mediumi.
“Për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova, ka reaguar edhe Sekretari Gjeneral i Federatës Europiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez, i cili e ka cilësuar si një ditë zie për Kosovën, aktivizimin e shtetit në cenzurë ndaj Klan Kosovës.” – ka thënë zëdhënësja e LDK-së.