Halimi, LDK pas aplikimit në BE: Merruni me gjëra që prekin direkt qytetarët
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka reaguar pasi liderët institucionalë sot kanë nënshkruar aplikacionin për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se pamja e nënshkrimit të këtij dokumenti do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme.
“Anëtarësimi i shpejtë në Bashkimin Evropian është cak shumë ambicioz, madje edhe për shtetet që udhëhiqen nga politikanë që injektojnë pritshmëri joreale. Megjithatë, performanca e liderëve për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme. Kjo pamje do të mbetet vetëm imazh, nëse nuk fuqizohet politika e jashtme. Hyrja në BE mund të jetë larg, mirëpo 75 milionë eurot e tyre - fonde mbështetëse për energjetikë - dje janë deponuar në buxhetin e Kosovës. Qeveritarët tanë duhet të angazhohen për vënien e tyre në punë, që të mos kemi reduktime të rrymës që dëmtojnë mirëqenien e qytetarëve dhe rrënojnë ekonominë tonë. Krahas kësaj, kemi hyrë në muajin e tretë pa ministër në Shëndetësi”, ka shkruar ajo.
Ajo ka vlerësuar se në vend të formaliteteve, është më mirë që Qeveria të merret me gjëra që prekin direkt qytetarët.
“Mjekët po ikin nga nënçmimi prej shtetit; qytetarët nga mungesa e shërbimeve shëndetësore; e të gjithë bashkë nga çmimet e shtrenjtuara të të gjitha produkteve bazike. Andaj, në vend të formaliteve pa efekt, kryeministri dhe kabineti i tij duhet të merren me gjëra të prekshme, që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Halimi.