Halimi, LDK: Demokracia të mos merret si e mirëqenë, ajo duhet të mbrohet
Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, ka shkruar në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë që po festohet sot, megjithëse zbehtë, edhe në Kosovës.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ia rikujtojmë vetes rëndësinë që ka pluralizmi - liria e mendimit, si dhe mundësia për ta shprehur atë pacënueshëm.” – shkruan Halimi.
Megjithatë, ajo ka tërhequr vërejtjen se demokracia “nuk mund të merret si e mirëqenë” dhe se duhet mbrojtur në çdo rast.
Duhet të kujtojmë se edhe demokracitë më të konsoliduara në botën perëndimore kanë përjetuar viteve të fundit tronditje nga lëvizje e figura populiste që kanë minuar mbarëvajtjen e institucioneve që garantojnë demokracinë.
Në fund, Halimi ka shkruar edhe për rëndësinë që ka demokracia për arritjen e potencialit për gratë dhe vajzat.
Statusi i plotë:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ia rikujtojmë vetes rëndësinë që ka pluralizmi - liria e mendimit, si dhe mundësia për ta shprehur atë pacënueshëm. Megjithatë, ajo nuk mund të merret si e mirëqenë, pa gatishmërinë tonë për ta mbrojtur atë në çdo rast. Demokracia, poashtu i jep mundësinë gjysmës më të nënvlerësuar të shoqërisë - vajzave dhe grave, të arrijnë potencialin e tyre të plotë, çka është në dobinë e të mirës së përgjithshme.
