A mjafton demokracia?
Demokracia është modeli më pak i keq nga modelet e provuara deri më tani. Por, a është demokracia në vetvete e mjaftueshme për të pasur drejtësi, barazi dhe mirëqenie në një shtet?
Shkruan: Rinor Gjergji
E tashmja dhe e kaluara janë plot me shtete demokratike, të cilat nuk ia kanë dalë as për së afërmi t’i ofrojnë vlerat e përmendura më lart. Kjo ndodh për shkak se demokracia mbështetet në numra dhe jo në argumente. Në demokraci vota e një personi pa asnjë libër të lexuar është e barabartë me votën e një shkencëtari.
Andaj, nëse një klasë politike e respekton vullnetin e popullit, kjo nuk do të thotë që do të sjellë vendime të mira. Natyrisht që populli duhet dëgjuar, ama politikani racional duhet të ndikojë në masa më shumë sesa të ndikohet nga to.
I tillë ka qenë p.sh. Mustafa Kemali, i cili ka ndërmarrë një numër të madh reformash në Turqi, që nuk e kanë pasur “bekimin” e popullit, por i kanë shërbyer vendit jashtëzakonisht shumë dhe kanë sjellë ndryshime pozitive.
Pra, problemi i demokracisë është se e vlerëson sasinë më shumë se cilësinë. Ndërkaq, në shumë raste, armiku kryesor i cilësisë është pikërisht sasia. Shumica në një popull, zakonisht përbëhet nga injorantët e jo nga intelektualët. Atëherë DEMOCRATIA mund të shndërrohet në (IGNO)CRATIA (sundim të injorantëve).
Është një shprehje e njohur, sipas së cilës “liria për ta shtrirë grushtin përfundon aty ku fillon hunda e tjetrit”. Shpesh, shumica e shtrin grushtin më shumë se ç’duhet dhe gjakos hundën e pakicës. Nëse, në emër të shumicës, kufizohen të drejtat dhe liritë e pakicës, atëherë ku qëndron dallimi në mes të regjimeve demokratike dhe atyre autokrate totalitare, ku pakica ia kufizon të drejtat dhe liritë shumicës? Pra, në të dyja format kemi një grup njerëzish që ia kufizon të drejtat dhe liritë një grupi tjetër. Dallojnë vetëm numrat, por jo vlerat.
Prandaj, demokracia s’është e mjaftueshme në vetvete. Ajo s’duhet të mbështetet thjesht në numra, por para së gjithash në vlera dhe parime, sepse demokracinë, për dallim nga modelet tjera, duhet ta karakterizojë cilësia e jo sasia.
Andaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë liberale. Një demokraci liberale e dëgjon zërin e arsyes e jo zhurmën e turmës. Aty triumfon gjuha e argumentit, ku ka rëndësi fjala dhe jo gjuha e zhurmës, ku ka rëndësi ulërima.