Halimi: Kryeministri jotransparent i detyron gazetarët të sforcohen panevojshëm
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar sjelljen e kryeministrit Albin Kurti ndaj gazetarëve.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kryeministri jotransparent i detyron gazetarët të sforcohen panevojshëm për t'i marrë qoftë edhe një deklaratë.
“Kryeministri jotransparent i detyron gazetarët të sforcohen panevojshëm për t'i marrë qoftë edhe një deklaratë. Përbuzës ndaj gazetarëve që thjesht bëjnë detyrën, është kryeministri që nuk është transparent me qytetarët në asnjë temë, ndërkohë që llogaridhënien e ka detyrë. Ata të cilat i ka linçuar përmes makinerisë kibernetike të partisë së tij, sot e mori stafetën për t'i tallur, a thua se ata ia kanë fajin për dështimin spektakolar të kabinetit të tij. Megjithatë, tendenca për të fabrikuar armikun e ri të brendshëm, apo fajtorin kujdestar të radhës, do të dështojë, sepse pushteti që i ka krejt, nuk mund të arsyetohet me asgjë”, ka shkruar Halimi.