Halimi e LDK-së: VV-ja po denigron institucionet e drejtësisë për ta mbrojtur njeriun e tyre në KEK
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka akuzuar partinë në pushtet se po denigron institucionet e drejtësisë për t’i dalë në mbrojtje njeriut të tyre në KEK, i cili është arrestuar dje për korrupsion dhe konflikt interesi.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Qeveria Kurti po synon t’ia përshtat politikës së saj populliste edhe drejtësinë.
Sipas saj, kauzat e rreme të kësaj qeveria po bien.
“Kauzat artificiale e të rreme gjithmonë përfundojnë me dështim, por qytetarët janë ata që paguajnë tagrin. Prandaj sot partia në pushtet denigron institucionet e drejtësisë në përpjekjen për t’i dalë në mbrojtje njeriut të tyre në KEK, të prangosur për korrupsion dhe konflikt interesi. Drejtësia selektive është reforma aq e propaganduar e tyre në drejtësi, sepse për të gjitha çështjet e trumbetuara në opozitë, përditshmëria do t’na përplas fytyrës farsën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëllimin e vetëm të saj, PUSHTETIN. Kjo Qeveri po synon t’ia përshtat politikës së saj populliste edhe drejtësinë. Por drejtësia selektive lëkund themelet e funksionimit të shtetit e demokracisë. Dhe qytetarët e Kosovës nuk do ta lejojnë këtë!”, ka shkruar Halimi.