Halimi e LDK-së: Propaganda e Kurtit seriozisht dëmton shëndetin
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se Kryeministri Albin Kurti duhet më shpesh ta vizitojë Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës pasi ditën e sotme ky i fundit bëri një vizitë në Shërbimin Spitalor dhe etiketoi dy kompani si përgjegjëse për djegien e veturës së shefit të Auditorit të Brendshëm.
Halimi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në QKUK, mungon përkushtimi, mungojnë gjërat bazike, pajisje, aparatura etj.
“Në QKUK, kryeministri duhet të shkoj më shpesh dhe me më pak pompozitet. Në sektorin ku nuk dihet kush është realisht ministër, ka nevojë për më shumë personel, pajisje dhe aparatura. Po të mos mungonte përkushtimi, nuk do të mungonin edhe gjërat më bazike, që nga higjiena, barnat esenciale e deri te dyert e prishura që nuk mbyllen. Pacientëve të goditur nga kriza e çmimeve - me rroga të zhvlerësuara, iu duhet të blejnë vetë shumëçka. Këta pacientë e kanë të pamundur të marrin shërbimin e duhur, nga mungesa e stafit të stërngarkuar e të keqpaguar”, ka shkruar ajo.
Tutje Halimi ka thënë se të gjitha këto nuk i interesojnë kryeministrit që e ka prioritet spektaklin dhe sipas saj duke mos u marrë kurrë me përmbajtjen, ai e ushqen vetëm krizën dhe propagandën.
